100 vjet këngë në shqip/ Tre priftërinjtë shqiptarë si u sfiduan në përkthimin e himnit të Krishtlindjes

Dom Ndre Mjeda, At Vincens Prenushi dhe At Pjetër Mashkalla në dy variante përkthimi “Ti zbret nga yjet” dhe “Natë e qetë”, këngë himn e Krishtlindjes; versionet vijnë nga gjuha gjermane dhe angleze në dialektin gegë prej klerikëve, që qysh prej kohës së përkthimit, gati një shekull, këndohet edhe sot në kishën françeskane

 

 

Ti ulesh prej parrizit

Përktheu: Ndre Mjeda

 

Ti ulesh prej parrizit,

O Zot e mbret madhnije.

E në tokë vjen m’u bâ nieri

Vetëm prej dashtënije:

Aq i dashtun jé për né

Qi në nji shpellë ti vjen me lé!

O Zot i lum,

Un s’e kam ditë se ti

Né të shkretët na don kaq shum!

Për ty qi rruzullimin

Gjithmbarë e ké krijue,

S’jânë gjetë as shpí as petka,

E zjermi të ka mungue.

Tash âsht dimen, akull, borë,

Me qindrue njashtu â zór.

O djalë i shkretë!

Prei së ftofti ti po dridhe,

Po dridhe e po bertet!

O Biri i të naltit Zot.

Ti pate gjith lumnín,

Por deshtas e ké lanun

E kapë e ké vorfninë.

Pra pse kján e pse gjimon,

Kerkush tý nuk po t’ankon:

Ti do me më msue

Se pa durim nuk mundet

Kerkush m’u shelbue.

Ne disha gja ti fshân

E kján, o bukuri,

Perse, si duhet, nieri

S’t’a din gjith at dashtëní;

Vesht e mora un i ngrati

Se at mundim t’a nep ty mkati;

O mkat mallkue!

Por ti, o Zot, më fal!

Më fal se jam pendue!

Ti flęn përmbi at grazhd,

O i lumi djalë plot hír.

Por zęmers me mârrë gjum

I del fort pun’e fshtír.

Zęmra e jote pse po lngon!

Natë e ditë shka po mendon?

Un tjeter s’po mendoj

Veçse me dekë per njerin.

Me dekë qi ta shelboj!

Me lé e me dekë për mue

Dashtnija të ka shtërnguemun:

E vetë pa të dashtë, o Jezu,

Si mundemi me rrnuemun?

Shpnesa e ęme, o Virgjin Mrí,

Me dashtë Krishtin se nuk di,

Tý të kjosha true:

Më mso gjithmonë me e dashtun,

Me e dashtë e me e lëvdue!

Shënim:

Në dhjetor të vitit 1754 Shën Alfons de Liguori improvizoi në një Kishë të Nolës këngën-himn të Krishtlindjes: “Ti zbret nga yjet”. E lehtë për t’u kënduar, e përshtatshme për mundësitë vokale të fëmijëve, të grave e të njerëzve të popullit, kjo nina-nanë u përhap shumë shpejt e u përkthye në gjuhë të ndryshme të botës, duke u bërë së bashku me “Stille Nacht” një tjetër himn i solemnitetit të Lindjes së Krishtit. Ishte kompozitori Xhuzepe Verdi, i cili i frymëzuar prej dëshirës së Shën Alfonsit i dha muzikën tekstit. Kënga u përthye shpejt edhe në gjuhën shqipe nga meshtari dhe poeti Dom Ndre Mjeda me të njëjtën dëshirë për predikimin e Ungjillit.

 

O natë e qetë

Përktheu: At Vinçens Prennushi

 

Flej, o Qielluer,

Zojës në krahnuer.

Flej, mos kjáj,

ndale at’ váj.

Gjumi t’vjen,

por ty s’t’bahet me fjetë,

pse n’do kashta

t’rrin trupi Ty p’shtetë.

 

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve.

 

Ty Zoja Mri,

Ty gjithë dashtëni,

rrin tuj t’ruejtë,

ambël prujtë,

 

Ditë do t’vinë, o Shelbues, me u mekë;

Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë !

Jezus për p’shtim të gjithë neve,

Jezus për p’shtim të gjithë neve!

 

Shënim

Fjalët e këngës “Natë e qetë” janë shkruar në mbrëmjen e Krishtlindjes së vitit 1818 nga meshtari Joseph Mohr (1792-1848), ndihmës famullitar në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë u muzikua nga Franc Xavier Gruber (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas dëshirës së Mohr-it, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mohr-i e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”.Kjo këngë mbërriti edhe ndër shqiptarë, në fillim të ‘900-ës, kur At Vinçenc Prenushi, françeskan përktheu “O e qeta natë”, që u këndua për herë të parë në kishën françeskane të Gjuhadolit në kremtimin e Krishtlindjes në vitin 1920.

 

 

O natë e qetë

Përkthyeu: At Pjetër Mëshkalla

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Krishti i lum sot ka le;

Shih si qeshet e bukura f’tyr’,

Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’

Flej, o i bukuri, flej

Flej, se shpresa je Ti.

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë

Krishti f’mijë i Zoj’s Mari

Qe, në prehen sa mir’ po i rri,

Ejt’këndojnë me brohori:

Erdh i lumi Mesi

Erdh i lumi Mesi.

 

Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë,

Me shpejti vijnë barijt

Me shikue k’te bukuri,

Me adhrue njik’te fëmijë

Krishti plot dashuni,

Krishti plot dashuni!

 

Shënim

Është një version i përkthimit nga gjermanishtja e tekstit “O natë e qetë”, nga jezuiti At Pjetër Mashkalla, i cili ka qëndruar besnik tekstit nga gjermanishtja, kur nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë ku këndohet edhe sot.

 

 

Kolon ë anash

 

Zef Mala, i penduari që nuk diti të heshtë

 

“Më 1929 ose 1930 kishin ardhë në Shkodër dhe kishin marë në sipërmaje për rindërtim dhe për meremtim komunal një grup puntorësh që bajshin pjesë në një sindikatë. (…) Mbas luftës kishin marë pjesë në grevat dhe në pushtimin e fabrikave dhe lidhen me Partin Komuniste. Unë para punë me ta në meremetimin e gazermave dhe me qënë se dijshëm mirë Italishën, kjeshë lidhë me mikësi me ta. Nga kjo mikësi, lindën biseda të shumta midis meje dhe dy prej puntrove me ne ndër ‘ta, prej të cilëve unë mësova pse shtypja jetese ishte vetëm një nga trajtat e shtypjes shoqërore, dhe se përveç kësaj ekzistonte një ma e madhe, shtypja e klasave. Prej këtyre mora së pari dhe lexova librat dhe broshurat mbi socjalizmin, mbi komunizmin, mbi lëvizjen sindikale t’Italisë dhe mbi revolucionin Rus. (…) Dhe faktorët e sipër përmendun caktuan udhën time dhe më shtynë në rrugën e Komunizmit, por akoma nuk njifshim asgja mbi Marksizmin e vërtetë.”

Zef Mala, Promemorie shkruar në burg (1948) Është ky një fragment i profilit të Zef Malës, i dënuar në diktaturë, duke imagjinuar një të majtë tjetër. Në kuadër të projektit të AIDSSH, për mendimin politik të së majtës shqiptare, studimin e ka përgatitur dr. Edon Qesari, ku merr në shqyrtim disa figura. Në vitin 1937, Zef Mala, asokohe 22-vjeçar, gjendej mes një grushti themeluesish vërsnikë të një organizatë politike të majtë në qytetin e tij të lindjes, e cila do të njihet më vonë si Grupi Komunist i Shkodrës. Pavarësisht se një pjesëmarrje e tillë do të shënojë një spartiaque në jetën e tij politike, veprimtaria e mirëfilltë publike e Malës kishte nisur pak vite më herët, pasi kishte përmbyllur shkollimin e mesëm në Kolegjin Saverian të Shkodrës – i shquar për drejtimin klasik të curriculum-it të vet mësimor – dhe ishte zhvendosur në Tiranë, më 1934.  Njëkohësisht me përftimin e një burse studimesh, të financuar nga qeveria shqiptare dhe që e lejon të regjistrohet në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Vjenës, Mala nis të jetë i pranishëm në faqet e shtypit të kryeqytetit, me artikuj të kushtuar kryesisht kronikës rinore dhe përshtypjeve mbi zhvillimet letrare në bashkëkohësi. Përgjatë gjithë dyvjeçarit 1934-1936 të qëndrimit në Vjenë, angazhimi i tij do të jetë gjithmonë e më i ngjeshur, i ndarë mes qytetit të tij të lindjes dhe Tiranës. Pavarësisht se prania e penës së tij në gazetat e kryeqytetit e lejon të bjerë në kontakt me një ambient në të cilin prirjet radikale, sidomos në mesin e njëfarë rinie, nuk ishin të panjohura, ka studiues që mendojnë se afrimi i Malës me idetë e majta do të ndodhë gjatë qëndrimit të tij në Vjenë . Çka përputhet edhe me zhvillimet politike që prej një dekade e gjysmë kishin përfshirë kryeqytetin austriak, i cili, qysh në vitin 1919 e deri më 1934, do të qeverisej në mënyrë të pandërprerë nga socialdemokratët (me frymëzim marksist) vendas .

Në vijim, Malës do t’i ndërpritej bursa e shtetit – qëllimisht, sipas tij, për shkak të ideve marksiste që ai kishte shfaqur në ambientet universitare vjeneze, e të cilat duket se kishin vënë në alert autoritetet shqiptare që u druheshin më së pari të rinjve «që kanë kryer mësime jashtë shtetit» (Dokumente e materiale historike, fq. 383).  I detyruar të lërë në mes studimet dhe të vendoset sërish në Tiranë, më 1937 Mala afrohet me anëtarët e një celule ndjekësish të ideve të majta të lidhur me qytetin e tij të lindjes. Mes tyre, gjendeshin emra të një rëndësie të veçantë për zhvillimet e mëvonshme politike, si: Tuk Jakova, Vasil Shanto dhe Qemal Stafa (Frashëri, fq. 128), të cilët, në mesvitet ’30 ishin bërë të njohur mes shkollarëve të Shkodrës për propagandimin e librave. Zef Mala, që në atë kohë bënte pjesë në redaksinë e gazetës “Arbënia” të Tiranës, nis atëherë rrugëtimin e vet politik, i cili, brenda një viti, do ta kurorëzohet me drejtim e grupit komunist të përqendruar në Shkodër dhe me shtrirje deri në Elbasan e Gjirokastër. Siç shkruan më vonë, ai do të bëhet edhe nismëtar i disa përkthimeve – kryesisht broshura nga autorë tashmë të renditur si klasikë në literaturën marksiste (Marksi vetë, Lenini, Stalini, Dimitrovi) – që dëshmojnë dhe gjenezën leniniste të formimit të tij fillestar .