“Mbrojtja” bën gati ligjin: Ushtarakëve u ndalohen kritikat kundër Forcave të Armatosura

Nëse je ushtarak dhe ke kritika për Forcat e Armatosura të Shqipërisë nuk duhet t’i shprehësh publikisht, në formë shkresore, elektronike apo verbale, pasi në të kundërt rrezikon përjashtimin nga struktura. Ky është një nga ndryshimet që pritet që të pësojë ligji për masat disiplinore ndaj Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, janë shtuar dy paragrafë, duke përcaktuar, si më poshtë vijon: Së pari, shkeljet disiplinore: “shprehja e kritikave publike ndaj FA-së, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të FA-së”” thuhet ndër të tjera në relacionin shoqërues të projektligjit që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo do të thotë se për cdo vërejtje, ushtarakët nuk duhet të flasin nëse duan që të vazhdojnë të jenë pjesë e FA-së.

Relacioni i projektligjit per masat disiplinore ne FA

Ndalimi i kritikave, por edhe ndryshime të tjera që pritet që të pësojë ligji për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nga orari i punës, te publikimi i fotove, etj, sipas relacionit po bëhet me qëllim për të plotësuar disa mangësi që janë evidentuar, ndër vite, gjatë zbatimit të tij.

Nëpërmjet tij, ministria thotë se synohet rritja e disiplinës në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si një nga shtyllat kryesore të saj. “Këto ndryshime do të bëjnë të mundur plotësimin e mangësive të ligjit aktual, duke sjellë si pasojë forcimin e disiplinës ushtarake dhe të rendit ushtarak, që përbëjnë edhe vetë qëllimin e këtij projektligji” thuhet ndër të tjera në arsyetim./ db/Abcnews.al

The post “Mbrojtja” bën gati ligjin: Ushtarakëve u ndalohen kritikat kundër Forcave të Armatosura appeared first on Abc News.