Misteri i velierës në Shëngjin, nga erdhi, ku ishte destinacioni, dyshimet për drogë e kurthi i policisë

Veliera që u gjet në zonën e Patokut dhe që sonte u ankorua në portin e Shëngjinit është e mbuluar me mister. Brenda mjetit lundrues me flamur slloven me emrin “TAI-PAN” nuk u gjet asnjë person dhe asnjë dokument.

Pikëpyetjet janë disa, ndërsa një burim nga policia kufitare i tha gazetarit të Abc News Gjergj Figuri se veliera është pikasur që para dy ditësh. Gjithashtu gazetari Gjergj Figuri duke iu referuar burimeve mëson se veliera ishte nisur nga Greqia drejt Malit të Zi.

Dje, policia kufitare i është afruar dhe e ka kontrolluar, ndërsa nuk gjeti asgjë komprometuese. Më pas policia kufitare u largua duke e mbajtur në mbikëqyrje për të parë nëse do të afrohej ndonjë person. E ndërsa kaluan edhe 24 orë dhe askush nuk u afrua, policia vendosi që ta ankoronte në portin e Shëngjinit.

Një tjetër burim i tha Abc News se veliera me flamur slloven është marrë me qira me dokumente italiane të falsifikuara dhe se është përdorur për trafik droge. “Dyshohet se në momentin që është afruar policia anëtarët e ekuipazhit, që ishin dy e braktisën” i tha një burim Abc News.

Nga policia ende nuk ka asnjë reagim zyrtar lidhur me velierën, ndërsa hetimet me homologët vijojnë. Ky është rasti i dytë brenda vitit, pasi në shtator të 2019 u gjet një tjetër jaht i braktisur pranë portit të Shëngjinit./ db/Abcnews.al

The post Misteri i velierës në Shëngjin, nga erdhi, ku ishte destinacioni, dyshimet për drogë e kurthi i policisë appeared first on Abc News.