Tre raste me koronavirus: Deputetët me maska në kafen e Parlamentit

Ditën e sotme, deputetët janë mbledhur sërish në seancë plenare ndërsa në fuqi janë rregulla më strikte anti-Covid pasi tre deputetë kanë rezultuar pozitivë për Covid-19. Gjatë ditës së djeshme u bë e ditur se të infektuar me koronavirusin janë deputetët Ralf Gjoni, Eljo Hysko dhe Enver Roshi.

Pas kësaj, Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve.

Ndërkohë Komisionet, parlamentare, Byroja dhe Konferencat e Kryetarëve do të vijojnë online dhe nuk do të mblidhen në sallat e Kuvendit.

Po ashtu u njoftua se deputetët në sallë duhet të mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe llozhat.

Ndërkohë, në disa pamje të siguruara nga Abcnews.al, në kafen e Parlamentit duket se është ndjerë efekti i konfirmimit  të rasteve me Covid-19.

Në fotot e shkrepura duken disa nga personat e ulur që kanë të vendosura maska ndërsa janë të ulur në grupe prej dy ose tre personash. /abcnews.al/

The post Tre raste me koronavirus: Deputetët me maska në kafen e Parlamentit appeared first on Abc News.