U kap me 6 kg drogë në motorin e makinës nga Shqipëria në Kosovë, arrestohet 54 vjeçari

Policia e Kosovës ka arrestuar një 54-vjeçar shqiptar me iniciale E.L. pasi në motorin e automjetit me të cilin po udhëtonte u gjetën 6 kg drogë e llojit marijuanë.

Ai u ndalua në pikën Kufitare të Vërmicës në Morinë gjatë një kontrolli rutinë.

Policia e Kosovës sqaron se lënda narkotike u gjet brenda një automjeti tip “Seat”, e cila kishte hyrë nga Shqipëria.

“Me datën 10.08.2020 rreth orës 11:20, Policia e Kosovës, në këtë rast zyrtarët kufitar në pikën kufitare Vërmicë, gjatë regjistrimit në sistem të automjetit “Seat” me targa lokale i cili ishte duke hyr nga Shqipëria për në Kosovë, të njëjtin kanë vendosur ta selektojnë për kontroll të detajuar në vijën e dytë të kontrollit.

Gjatë  kontrollimit të hollësishëm të ushtruar nga ana e zyrtarëve policor në bashkëpunim dhe koordinim  me oficerët doganor, në pjesën e përparme tek motori i automjetit janë gjetur pesëmbëdhjetë (15) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuara narkotike e llojit marihuanë, me peshë e cila dyshohet të jetë prej rreth 6kg.

Në lidhje me rastin është njoftuar drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik, njësia e forenzikes, dhe njësitet tjera relevante për trajtim dhe hetim të mëtejme të rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore DKR  Prizren, është iniciuar rasti për veprën penale “Blerja, Shpërndarja, Transportimi, Prodhimi, Këmbimi, Ndërmjetësimi ose Shitja e paautorizuar e Substancave narkotike dhe psikotrope ose analoge”, ndaj të dyshuarit (E.L. viti i lindjes 1966).

Të gjitha veprimet e mëtejme ndaj personit të dyshuar, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin kompetent”, njofton policia kosovare./abcnews.al

The post U kap me 6 kg drogë në motorin e makinës nga Shqipëria në Kosovë, arrestohet 54 vjeçari appeared first on Abc News.