U tha se lufton virusin, OBSH: Remdesiviri është pak, ose aspak efektiv në trajtimin e COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se ilaçet remdesivir, hidroksiklorinë, lopinavir/ritonavir dhe produktet e interferonit kanë pak ose aspak rezultate në luftimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.

Një studim për këto ilaçe u zhvillua në më shumë se 30 vende. Studimi u bazua në efektet e terapisë në vdekshmërinë e përgjithshme, fillimin e trajtimit me ventilatorë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në spital. Këto ilaçe treguan pak, ose aspak rezultate në trajtimin e pacientëve.

Remdesiviri – një ilaç i zhvilluar nga kompania farmaceutike amerikane Gilead Sciences – është një nga ilaçet e para që u përdor për të trajtuar sëmundjen COVID-19.

Ky ilaç përdoret kryesisht për trajtimin e hepatitit C dhe virusit sincicial të frymëmarrjes. Gjithashtu, janë bërë disa studime për efektin e tij në trajtimin e sëmundjes së Ebolas, por nuk ka treguar efikasitet.

Këto rezultate për efektivitetin ndaj sëmundjes COVID-19 duhet të kalojnë kontrolle shtesë të ekspertëve.

Një studim për efektivitetin e këtyre barnave u krye në 405 spitale në 30 vende dhe përfshiu 11,266 pacientë.

Përafërsisht 2,750 njerëz morën Remdesivir, 954 hidroksiklorinë, 1,411 lopinavir, 651 interferon bashkë me lopinavir, 1,412 vetëm interferon dhe 4,088 nuk morën asnjë nga ilaçet e studimit.

Kompania Gilead Sciences ka shprehur shqetësim, pasi “të dhënat nuk janë analizuar në detaje”, dhe për shkak të kësaj, kompania thotë se “asnjë përfundim objektiv nuk mund të bëhet në lidhje me efektivitetin e Remdesivirit”.

Në fillim të këtij muaji, të dhënat nga një studim në SHBA mbi ilaçin Remdesivir nga kompania Gilead, treguan se trajtimi me këtë ilaç uli kohën e rikuperimit të pacientëve me COVID-19 me pesë ditë.

Përdorimi i Remdesivirit u miratua nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së më 1 maj. Përdorimin e këtij ilaçi e kanë miratuar edhe një sërë vendesh tjera.