Varrezat e Çabratit!

931 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi që nga viti 2001.

744 në Batajnicë, në periferi të Beogradit; 61 në Petrovo Selo dhe 84 në liqenin Peruçac ndërsa 52 në varrezën masive në Rudnicë. Shqiptarët e Kosovës u vranë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare dhe më pas trupat e tyre u dërguan dhe u fshehën thellë nën tokë në vende të ndryshme në Serbi për të fshehur gjurmët e krimit.

Vendet e varrezave masive u gjendën në bashkëpunim me dëshmitarë që kishin qenë pjesë e operacionit të transportimit të kufomave, mes të cilëve burra, gra dhe fëmijë.

Shkaku i vdekjes së tyre ishte kryesisht plumbi në kokë, gjë që tregon se ata nuk u vranë gjatë luftimeve, por u ekzekutuan jashtë frontit të luftës.

BATAJNICA

Batajnica, në periferi të Beogradit në Komunën e Zemunit është në afërsi të lumit Danub dhe në vitin 1999, aty trajnohej një njësi speciale e ministrisë së brendshme serbe.

Edhe pas zhvarrosjes së trupave të shqiptarëve të Kosovës, zona vazhdon të jetë qendër trajnimi. Në periudhën 2001- 2003, aty u gjetën tetë varreza masive. Nga 535 të vrarë dhe të varrosur në varrezat masive në Batajnicë dhe Peruçac, 531 persona kishin vdekur nga një plagë me armë zjarri, nga të cilët 300 ishin të qëlluar në kokë.

PETROVO SELLO

Petrovo Selo, një fshat në komunën e Kladovos kishte gjithashtu një qendër trajnimi të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe aty trajnoheshin edhe anëtarë të Njësisë së Operacioneve Speciale te Sigurimit të Shtetit të Serbisë. Dy varreza masive u zbuluan në Petrovo Selo. 53 nga viktimat kishin vdekur nga plagët, 20 prej tyre u qëlluan në kokë.

LIQENI PERUCAC

Liqeni Peruçac, në Komunën e Bajina Basta në Serbinë perëndimore, mbante një varr masiv në afërsi të liqenit, zhvarrimi i të cilit filloi më 6 shtator të vitit 2001. Përveç mbetjeve mortore, varri masiv kishte edhe një kamion frigorifer. Të paktën 48 trupa u zhvarrosën të plotë nga varri masiv pranë liqenit Peruçac ndërsa 84 të pa plotë.

RUDNICA

Fshati Rudnicë, në Komunën e Rashkës në Serbinë jugore, në afërsi të Jarinjës, kalimi kufitar midis Serbisë dhe Kosovës kishte një varrezë masive në një zonë të braktisur gurore. 52 trupa u gjetën aty në varrezë masive.

KIZHEVAK

Varreza më e re masive ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet të jenë të shqiptarëve të Kosovës është në Kizhevak, një ish-minierë e braktisur po në zonën e Rashkës. Ende nuk dihet sa trupa mund të jenë varrosur atje, por një gjë dihet me siguri, përpjekja e qartë, e vazhdueshme, e organizuar dhe monstruoze për fshehjen e krimeve të kryera, 4 pashë nën tokë! /abcnews.al/

The post Varrezat e Çabratit! appeared first on Abc News.